Zjarri ka rënë në katin e fundit të një pallati të ri tek rruga e Kavajës. Deri më tani ska një bilanc për të dëmtuar apo jetë të humbura, ndërsa 3 persona janë asfiksuar nga tymi. Flakët janë shpërndarë në fasadën e ventiliuar deri në katin e parë të pallatit.
“Më datë 14.09.2023, rreth orës 14:20, në rrugën “Sali Butka”, ka rënë zjarr në ballkonin e një banese, në katin e fundit të një pallati. Në vendngjarje janë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëset të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”‘- njofton policia.
Veliaj falenderon ekipet që luftuan me zjarrin: Kam kërkuar të nisë menjëherë hetimi; Bashkia do të ndihmojë familjet që kane dëmtime.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka falenderuar skuadrat e shërbimit zjarrfikës, të emergjencave dhe të policisë për reagimin e menjëhershëm për të shpëtuar jetët e banorëve të pallatit qe u perfshi nga zjarri në rrugën “Sali Butka”.Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj tha se ka kërkuar të nisë menjëherë hetimi mbi burimin e zjarrit.
Ai siguroi familjet e dëmtuara se do të ndihmohen nga Bashkia e Tiranës. “Mirënjohje skuadrave zjarrfikëse, emergjencave dhe policisë për reagimin e shpejtë për të shpëtuar njerëzit – jeta është më e rëndësishme se gjithçka – dhe shuar zjarrin në Nj. 7, Tiranë! I kam kërkuar ekipit të nisë menjëherë hetimin mbi burimin e zjarrit! Momentalisht po bëhet këqyrja e çdo hapësire e pajisjeve në godinë! Si gjithnjë, Bashkia e Tiranës do të ndihmojë me grant çdo familje që ka dëmtime në orendi dhe elektroshtëpiake! Operacioni vijon.”, shkruan Veliaj.
Zjarrfikëset e Tiranës vënë nën kontroll flakët në pallatin te ‘ish-parku i Autobusëve, Goxhaj: Nuk ka banorë te demtuar
Forcat e shumta zjarrfikëse të cilat mbërritur menjëherë pas sinjalizimit nga banorët kanë vendosur nën kontroll flakët në pallatin në rrugën “Sali Butka”.
Drejtori i zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj bëri të ditur se nuk ka banorë të dëmtuar, ndërsa flakët po izolohen.
“Situata e zjarrit është nën kontroll zjarri po shkon drejt izolimit. Po vijojmë me vatrën e fundit të zjarrit që është në një banesë. Zjarri ka marrë përmasa të shpejta. Që në momentet e para jemi interesuar për qytetarët e gjendur në banesë dhe kemi kryer evakuimin e qytetarëve. Nga kontrollet e kryera nuk na rezulton që të kemi qytetarë të dëmtuar në banesa. Dëmet nga zjarri janë shumë të mëdha, por po shkon drejt izolimit. Ky ka qenë një rast i veçantë për qytetin e Tiranës. Kjo e ka vështirësuar edhe ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës dhe është dashur një kohë e gjatë për të vënë zjarrin në kontroll. Fasada e objektit ka përhapur vatrën e zjarrit. Situata e zjarrit është nën kontroll”, deklaroi Goxhaj.